Të rrosh, apo të mos rrosh! Çfarë është jeta në fund të fundit? Ne themi që duhet të jetojmë, e kemi të nevojshme të mbijetojmë. Mendojmë që rruga jonë është të mbijetosh, na duhet të jetojmë. Pse? Sepse dikush më i madh na tha qe duhet të jetojmë dhe duhet të mbijetojmë përndryshe... Në fakt, jeta, nuk është e pashmangshme. Të kesh frikë nga vdekja është marrëzi, nëse je i vdekur s'do të kesh asgjë për tu shqetësuar, pra je në rregull.
Të vdesësh – të flesh, me një gjumë t’u japësh fund dhimbjeve e tronditjeve që na fal jeta. Jeta është një eksperiencë, një lojë, që çdo njeri do e kalojë. Asnjë njeri tjetër nuk duhet të marrë jetën e dikujt tjetër. Kur dikush merr jetën e dikujt që ti doje, atëherë ti duhej ti merrje jetën atij. Hakmarrja ka shkaktuar rrënimin e shumë personave. E detyron njeriun të sillet si i dalldisuar përmes inatit. Mbase unë jam shumë empirik, por hakmarrja është një cicëron i lajthitur, i cili të tregon se si turpi shëndërrohet në nder.
Dhe çfarë ishte jeta? Detyrë apo e drejtë? Unë mendoj asnjëra. Jeta është si një lum, i cili rrjedh natyrshëm në shtrat të pjerrët... E ka për detyrë apo është e drejta e tij të rrjedhë? As njëra, as tjetra. Thjesht ndodh, kombinim rrethanash.